Kjara Lubik

MEDITIME 

 

Përgjegjësia jonë është e madhe

 

Sigurisht që përgjegjësia jonë është e madhe, sepse ne të krishterët duhet të jemi dëshmitarë të Krishtit dhe, nga mënyra se si sillemi, të tjerët mund të kuptojnë se cili ishte mesazhi që solli Jezusi në tokë.

Por ndodh nga një herë që dëshmia jonë për Krishtin është pak ose aspak, apo e shtrëmbëron në një mënyrë a në një tjetër.

Njerëz të kategorive të ndryshme që nuk e lënë veten të udhëhiqen nga veprat e mirësisë, e paraqesin Jezusin sipas imazhit apo ngashmërisë së vet, kështu që bota që sheh dhe vrojton nxjerr përfundim, për aq sa është e mundur të nxirret përfundim, vetëm nga të dhënat që zotëron. Ajo nxjerr përfundim se feja, për shembull, ua përkul njerëzve qafën, por nuk ua ndryshon vullnetin rrënjësisht, pikërisht sepse ka disa të krishterë që, duke e quajtur veten pasues të Krishtit, e mbulojnë veten me një hije që e errëson fenë që ata ushtrojnë. Si rrjedhojë, thellohet ndarja me pasoja tragjike midis atyre që nuk e njohin Krishtin dhe të atyre, që duke jetuar me Dashurinë për Zotin, duhet ta bëjnë për vete botën dhe ta kthejnë tek Zoti.

Me një fjalë, askujt nuk i pëlqen një fe e tillë, sepse ajo është e deformuar, në një kohë kur edhe personat më agnostikë i tërheq apo të paktën ndiejnë respekt, qoftë dhe të pashprehur, për misionarin që guxon të shkojë në brigjet e përhumbura, duke e braktisur çdo gjë për hir të Perëndisë, ose për martirin që derdh gjakun e tij.

Dhe kjo, e gjithë kjo, ndodh sepse krishtërimi o është i kulluar dhe totalitar, o ka nevojë për t'i rithënë shumë gjëra.

Kjo vlen për shumë raste që rroken që në vështrim të parë. Por, duke u mbartur në një plan më sipër dhe më të brishtë, nuk është gjë e rallë që, duke u afruar me ata që i janë dhënë Zotit me një vrull të vërtetë dhe fisnikëri, të hasim shpesh në gabime, më shumë të karakterit praktik, që nuk na pëlqejnë dhe që na e errësojnë bukurinë e fesë sonë.

Nga një herë shtegtimi ynë mbi këtë planet është kaq i ashpër dhe kjo "luginë" është kaq plot me lot, sa që mjaft njerëz gjejnë qetësim vetëm tek kryqi. Ata përpiqen të kapen pas tij, e bëjnë atë flamurin e tyre, ua paraqesin edhe të tjerëve dhe u thonë që ta duan, por ... menjëherë mjaftohen me kaq. Mjaftohen me kaq, sepse duke e dashur atë me gjithë zemër dhe duke e provuar këtë në praktikë, ata nuk besojnë aq sa duhet në dashurinë e Zotit për ta dhe për të gjithë njerëzit.

Misteri i pashkës dëshmon faktin se Jezusi është jeta që mund vdekjen, është drita që çan errësirën, është plotësia që mbush zbrazëtirën.

Ky është në fund të fundit krishtërimi, për të cilin kryqi është i qënësishëm, por si mjet , ndërsa loti të shpie në ngushëllim e varfëria drejt zotërimit të Mbretërisë. Në krishterim pastërtia hap siparin e Qiellit dhe këmbëngulja e butësia paralajmërojnë ngadhënjimin e Amëshimit dhe garantojnë përparimin e Kishës në botë.

Ndër pesëmbëdhjetë misteret që përshkojnë anembanë librin e lutjeve, Kisha përcakton pesë të gëzueshëm, pesë të dhimbshëm dhe pesë ngadhënjyes, dhe kjo të jep të kuptosh se i krishteri duhet gjithnjë të shpresojë, të këndojë sikurse bënin të krishterët e parë, madje edhe në vigjilje të martirizimit, sepse trashëgimia jonë është plotësia e ngazëllimit që Jezusi ka premtuar dhe ka kërkuar për ata që do ta ndjekin.

Le të ndihmojmë sa të jetë e mundur më shumë njëri-tjetrin për të qenë dëshmitarë të Jezusit, që ka fituar zemrat tona, në atë Kishë, të cilën edhe ne mund ta zbukurojmë me bashkëpunimin tonë, në mënyrë që ta bëjmë më të lehtë për shtegtarin e kësaj bote që të thotë me një lehtësim të pafund:"Po, kjo është Kisha e vërtetë".

 

Back to top


Kjara Lubik — "Meditime" — Përktheu nga italishtja Çezar Kurti, Città Nuova Editrice, Italia, 1996.